Home » Basketboll » BB Bashkimin e braktis trajneri

Boshnjaku Adin Adinoviq nuk do të jetë në krye të skuadrës Big Brother nga Prizreni në stinorin pranveror të Technomarket Superligës së Kosovës në basketboll. BB Bashkimi dhe Adinoviq kanë ndërprerë bashkëpunimin, është bërë e ditur të shtunën. Adinoviq ka thënë se ndërprerja e bashkëpunimit erdhi për shkak të mospërputhjes së ideve. Ai në krye të BB Bashkimit erdhi para javës së dytë të Technomarket Superligës, duke zëvendësuar Jeton Nixhën. Bashkimi stinorin vjeshtor e përfundoi në pozitën e dytë.
“Nuk do të jem trajner i Bashkimit, pasi politika ime dhe ajo e krerëve të klubit nuk është përputhur në asnjë mënyrë”, ka thënë Adinoviq të shtunën. “Kam kërkuar lojtarë cilësorë, sepse qyteti i Prizrenit meriton këtë. Klubi nuk ishte i gatshëm t’i afrojë ata lojtarë dhe kështu gjithçka mori fund”.
Adinoviq theksoi se nën drejtimin e tij për Bashkimin, në pranverë do të luanin Enes Haxhibulliq, Muhamed Thaçi dhe një plejmejker amerikan që aktivizohet në Ukrainë.
Ndërprerjen e bashkëpunimit e ka konfirmuar edhe kryetari i BB Bashkimit Fadil Sahiti. Sipas tij, veprimet e pamatura të trajnerit bënë që ai të largohet.
“Në fillim të javës do të konfirmojmë largimin e tij. Jemi në kërkim të një trajneri tjetër. Adinoviq ka bërë disa veprime që aspak nuk na kanë pëlqyer. Ai ishte joserioz”, ka thënë Sahiti. Sipas tij, trajneri i deritashëm ka kontribuar edhe në anulimin e takimit miqësor me ekipin turk Karsiyaka. Më herët Sahiti pati thënë se Karsiyaka në gjysmë të janarit do të zbarkojë në Prizren për të zhvilluar takim miqësor.
“Kemi marrë konfirmimin se Karsiyaka nuk do të vijë të luajë ndeshjen miqësore me ne. Jemi të bindur se Adinoviq ka gisht në këtë. Kjo bëri që edhe të humbim besim te ky trajner”.

Koha Ditore

Tags:

Comments Closed

Comments are closed.