Home » Champion League, Futboll, Futboll int., Lajm i fundit, Shqipëri Superliga » Dinamo fiton minimalisht, por eliminohet

Dinamo Sheriff1 300x197 Dinamo fiton minimalisht, por eliminohetAshtu siç kishin premtuar dinamovitët ashtu edhe u paraqitën në ndeshjen kthyese kundër Sheriff të Moldavisë. Dinamo fitoi me rezultat minimal 1:0, por nuk ishte e mjaftueshme pasi që në ndeshjen e parë kishin pësuar 3:1. Me gjithë lojën e mirë, atakuese, shënimit të golit të hershëm dhe insistimit deri në fund, Dinamo nuk ia doli t’i përmirësoj gabimet e ndeshjes së parë, kurse mungesë e madhe ishte mosparaqitja e sulmuesit Elis Bakajt i cili ishte ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen e parë.

Dinamo ishte shumë skuadër më e mirë se sa mysafirët të cilët tërë ndeshjen e bazuan në mbrojtje të portës së tyre dhe vonimit të lojës. Me gjithë lojën e mirë, Dinamo ia doli të shënoj vetëm një gol, kur në minutën e 18-të, Emiljan Vila qëlloi rrjetën.

Dinamo mirë nisi ndeshjen dhe pas iniciativës nga 20 metra nga gjuajtja e lirë gjuajti Martinena, por disa centimetra larg portës. Edhe pesë minuta më vonë u krijua rast i mirë kur Sefa gjuajti rrëmbyeshëm me të parën, por portieri moldav ishte i vëmendshëm.

Në minutën e 18-të Vila i iku përqendrimit të mbrojtjes mysafire dhe me gjuajtje precize rriti gjasat për kualifikim tutje. Sheriff kishte rastin e parë vetëm në minutën e 25-të kur Erokhin depërtoi në mesin e dy lojtarëve dhe furishëm gjuajti, por portieri Hidi priti gjuajtjen.

Dinamo vazhdoi të dominonte. Në minutën e 33-të pas kombinimit të mirë gjuajti Xhafa, por topi përfundoi drejt në portierin mysafir. Në fund të pjesës së parë të kaltrit kishin edhe një rast ideal, kur nga goditja e dënimit gjuan fuqishëm kapiteni Pisha, por sërish topi nuk qëlloi kuadratin.

Në pjesën e dytë ritmi i ndeshjes ra me gjithë se Dinamo kishte posedim shumë më të madh të topit dhe dinamovitët më nuk ia dolën që aq lehtë sikurse në pjesën e parë të depërtonin drejt portës mysafire. Rastin e parë në këtë pjesëtojë e patën moldavët (60’) kur Tarkhnishvili gjuajti nga 25 metra jashtë portës.

Dinamo sërish rrezikoi, po nga kapiteni Pisha nga gjuajtja e lirë nga largësia e madhe por për fat të keq topi fërfëlloi fare pranë shtyllës (75’).

Lodhja e kishte bërë të vetën, por Dinamo insistoi në lojën “gjithçka ose asgjë” dhe për pa sa nuk ia arriti qëllimit. Por në këso loje Sheriff tani më kishte më shumë hapësirë për kundërzbritje. Kështu pas kundërsulmit dhe faullimit, nga 20 metra nga goditja e dënimit gjuan Franaca, kurse portieri Hidi intervenon për mrekulli dhe shpëton gol të sigurt.

Në fund, në minutën e 88-të Dinamo kishte rastin e fundit ideal të kalonte tutje. Lojtari më i mirë i ndeshjes, Vila me solo-depërtim i ikën mbrojtjes dhe i krijoi hapësirë të mirë të gjuaj, por sërish për fat të keq gjuajtje ishte shumë e plogësht.

Fakt interesant nga ky takim ishte paraqitja e Gjergj Muzakës i cili vetëm një ditë më parë i kishte vdekur babai, por ai gjithsesi kishte insistuar ta ndihmonte skuadrën në këtë sfidë dhe me gjithë dhimbjen e madhe të humbjes së prindit, Muzaka luajti plot 87 minuta me plot zemër dhe angazhim maksimal në fushë.

Ndërsa skuadra e kaltër nga Tirana, Dinamo u konfirmua edhe njëherë si skuadra më cilësore dhe më serioze shqiptare. Kësaj skuadre bukfalisht nuk i mungon asgjë, ka në dispozicionin lojtarë që tani luajnë disa vite në skuadër – gjë e rrallë kjo në futbollin shqiptare, dhe krejt çfarë i duhet, ta ruaj këtë trajner dhe këtë kontingjent lojtarësh dhe për një vit tjetër dhe mesiguri se assesi nuk do të mungonte suksesi aq i pritur në garat ndërkombëtare.

Liga e Kampionëve, faza e dytë

20.07.2010, ora 18:00

Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa“, Tiranë

DINAMO – FC SHERIF  (Tiraspol, Moldavi) 1-0 (1:0) – Ndeshja e parë (1:3)

Rezultati total: 2:3

Shënues: Vila 18’

Kartonë të verdhë: Putinçanin, Vila, Sosa – Fred, Brankoviç, Tarkhnishvili

Dinamo: 12 Isli Hidi – 5 Arian Pisha (c), 6 Erion Xhafa (72’ Roland Peqini), 9 Nestor Martinena, 11 Emiljan Vila, 13 Renato Malota (65’ Esteban García), 17 Gjergj Muzaka (87’Asion Daja), 21 Marko Putinçanin, 22 Lucas Malacarne, 27 Rafael Sosa, 29 Fation Sefa.

Trajner: Luis Manuel Blanco (Argjentinë)

Sheriff: Stoyanov – Volkov, Tarkhnishvili (c), Nikoliç (46’ Diedhiou), França,  Erokhin, Vranjesh, Bulat (57’ Fred), Nadson, Brankoviç, Adamoviç (80’ Samargjiç).

Trajner: Andrey Sasnitski (Bjellorusi)

Skuadra e Sheriff do të takohet në fazën e tretë me Dinamo Zagreb e cila në dy ndeshje ka qenë më e mire se sa Koper e Sllovenisë, duke fituar ndeshjen e pare në Zagreb 5:1, kurse sonte ka pësuar debakël të vërtetë 3:0, por me një gol më shumë shkon tutje.

STATISTIKAT:

Dinamo – Sheriff

(4) Gjuajtjet në portë (0)

(3) Gjuajtjet jashtë portës (4)

(11) Faullet e shkaktuara (7)

(8) Kornerët (1)

Avni Durmishi

Comments are closed.