Skuadra kampione e Shqipërisë, Dinamo, padyshim që është skuadra më serioze dhe më e organizuar për momentin në futbollin shqiptar. Me një trajner argjentinas me përvojë, me disa lojtarë argjentinas dhe me disa nga futbollistët më të mirë shqiptarë, sot synon që ta përmbys rezultatin (1:3) nga ndeshja e parë në Moldavi dhe ta eliminoj kampionin moldav. Se a do t’ia arrijë këtij qëllimi, do të shohim sonte nga ora 18:00 në stadiumin “Qemajl Stafa” (Supersport transmeton direkt). Dinamo gjithsesi hendikep të madh do të ketë mungesën e lojtarit më të mirë të skuadrës, sulmuesin Elis Bakajn i cili u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në Tirapol. Por, Dinamo ka edhe lojtarë të tjerë që mund ta bartin barrën. Rezultati 1:3 nuk është i papërmbysur, dhe me një fitore të “ngushtë” prej 2:0, skuadrën shqiptare do ta dërgonte në raundin e tretë të parafundit të Ligës së kampionëve, sipas gjitha gjasave kundër kampionit kroat, Dinamo Zagreb, e cila në ndeshjen e parë deklasoi në Zagreb kampionin slloven, Kopar.
Zyrtarët e Dinamos kanë marrë shumë seriozisht sfidën dhe duke kërkuar mbështetje maksimale të tifozerisë kanë vendosur që hyrja në stadium të jetë gratis. Të ju kujtojmë që edhe edicionin e kaluar, por në kualifikimet e Ligës së Evropës, Dinamo kishte pësuar në Finlandë 1:4, ndërsa në Tiranë për një gol nuk ia doli të shkonte tutje (2:0). Tani apetitet e Dinamos janë akoma më të mëdha, por shorti nuk ishte i mëshirshëm fare, pasi që Sheriff ishte kundërshtari më i fortë i mundshëm i kësaj faze. Skuadra moldave kohëve të fundit ka investuar shuma marramendëse në infrastrukturë, kurse ka 10 tituj me rendë në futbollin vendas dhe qëllimet kryesore të kësaj skuadre janë rezultatet në Evropë.
Interesant është edhe fakti, që kryetrajneri i Dinamos së Zagrebit, Velimir Zajec fare nuk ka udhëtuar drejt Sllovenisë në ndeshjen kthyese kundër Koprit të cilën do të udhëheq ndihmësi i tij, por Zajec ka udhëtuar drejt Tiranës ku “live” nga tribunat do ta ndjekë sfidën ku fituesi i saj do të përballet me skuadrën kroate.
Liga e kampionëve, faza e dytë, ndeshja e dytë kthyese.
Dinamo – Sherif Tirapol (Moldavi) – Rezultati i ndeshjes së parë 1:3.
Ora 18:00, stadiumi kombëtar “Qemajl Stafa”
Gjyqtar: Leontios Trattou (Qipro)
(Transmetim direkt nga Supersport)
Tirana dhe Besa: I lutemi Zotit mos të pranojnë më shumë se shtatë gola (!)
Dy ndeshjet tjera të kualifikimeve në Ligën e Evropës, Tirana – Utrecht dhe Olympiacos – Besa janë tërësisht nën hijen e takimit të Dinamo – Sheriff. Edhe ashtu, tani më janë të eliminuara edhe Tirana edhe Besa pas humbjeve katastrofale në ndeshjet e para.
Pas ndeshjes në Utrecht, trajneri i bardhekaltërve, Sulejman Starova publikisht ka akuzuar lojtarët që e kanë vënë ndeshjen në tiketa basti duke e luajtur në katër gola e më shumë. Në skuadër ka gjithandej amulli dhe nuk do të na befasoj ndonjë rezultat akoma më i thellë në favor të skuadrës holandeze.
Ndërsa Besa edhe ashtu s’ka as potencialin më të vogël, pos që ndoshta të tentoj mos t’i pranoj më shumë se shtatë (!) gola në Pire të Athinës kundër Olympiacos.
Liga e Evropës, faza e dytë, ndeshja e dytë:
Tirana – Utrecht (ndeshja e parë 0:4)
Ora 19:30, stadiumi kombëtar “Qemajl Stafa”
Gjyqtar: Radek Matejek (Çeki)
Olympiacos – Besa (ndeshja e parë 5:0)
Ora: 20:30, stadiumi “Georgios Karaiskakis”, Pire
Gjyqtar: Lee Probert (Angli)
A. Durmishi

Comments are closed.