Ka kohë që për sulmuesin pejan, anëtarin e Buduçnostit të Podgoricës dhe reprezentuesin e Malit të Zi, është spekuluar që është i interesuar Hajduku i Splitit. Në fakt, më saktë thuhet se zyrtarët e klubit të Buduçnostit tash e disa kohë ia kanë ofruar sulmuesin e tyre 22-vjeçar, skuadrës së Splitit, rivalit të përjetshëm të Dinamos së Zagrebit, Hajduk. Por, zyrtarët e Hajdukut assesi deri më tani nuk janë bindur që ta blejnë kosovarin nga Peja. Qarkullojnë dy versione për këtë arsye, ose mund të jetë shuma e lartë e caktuar për shitjen e tij nga Buduçnosti, ose zyrtarët e Hajdukut akoma nuk janë të bindur në kualitetet e reprezentuesit malazez.
Gjithsesi, lajmi më i ri tani është se për Beqirajn është e interesuar edhe Dinamo Zagreb. Sipas portalit kroat “index.hr”, pas shitjes së sulmuesit kryesor të skuadrës së “kaltër” nga Zagrebi, Mario Manxhukiç tek skuadra e gjermane Wolfsburg, dhe pas humbjes katastrofale të Dinamos në ndeshjen kthyese të fazës së dytë eliminatore të Ligës së kampionëve, kundër Koper-it në Slloveni (3:0), menaxheri dhe njeri kryesor i Dinamos, njeriu kontrovers, Zdravko Mamiç ka udhëtuar drejt Podgoricës që nga afër ta shihte ndeshjen e kualifikuese të Ligës së Evropës ndërmjet Buduçnostit dhe Baki të Azerbajxhanit.
Emri i parë që ishte përfolur me këtë rast ka qenë i sulmuesit, Fatos Beqiraj. Mamiç kishte parë ndeshjen nga afër kurse kishte marrë edhe referencë nga seleksionuesi kroat i reprezentacionit të Malit të Zi, Zlatko Kranjçar. Për kualitet e Beqirat, Kranjçar i ka thënë Mamiçit se: “Absolutisht Fatosi do të zinte vend tek përbërja e Dinamos. Ai është sulmues i ri me kualitete të sulmuesve evropian”.
Beqiraj para se të luaj për Buduçnostin ka luajtur për ish-skuadrën pejane që tani nuk ekziston më, Shqiponja dhe pastaj shumë shkurt për Besën e Pejës. Në Buduçnost luan që nga viti 2007. Gjithsejtë për Buduçnostin ka luajtur në 87 ndeshje në kampionatin malazez dhe ka shënuar plot 45 gola. Për shfaqjet e tij të mira është shpërblyer edhe me ftesën të luaj për shtetin e Malit të Zi. Megjithatë, si duket as këto shifra dhe statistika nuk i bindin as zyrtarët e Hajdukut e as të Dinamos që ta angazhojnë shqiptarin nga Kosova me pasaportë malazeze. Gjithsesi dyshimet më të mëdha te tyre janë se kampionati malazez është më se inferior. Gjithsesi, Zdavko Mamiç është shprehur se skuadrës së tij i duhet një sulmues më me eksperiencë.
Avni Durmishi
Mendimi juaj per kete postim ? kliko ketu

Comments are closed.