Çifti i parë 1/8: Uruguai – Koreja e Jugut: Uruguai kthehet në skenë të madhe pas plot 20 vitesh
Fituesi i Grupit A Uruguai dhe e dyta e Grupit B Koreja e Jugut, janë çifti i parë i tetës së finales në Kampionatin Botëror në Afrikën e Jugut. Amerikanolatinët pas 20 viteve kthehen në skenën e madhe të futbollit me shtatë pikë të fituara në Grupin A, para Meksikës, Afrikës së Jugut, dhe nënkampionit aktual botëror, Francës. Udhëhiqen nga njëri prej sulmuesve më të mirë në botë kohëve të fundit, Diego Forlan. Uruguajasit shpresojnë se mund ta mposhtin Korenë e Jugut, të cilët njëherë edhe e kanë mposhtur në KB “Italia ‘90”. Atëherë ishte 1:0 në fazën e grupeve. Përndryshe fitorja ndaj Koresë së Jugut ishte fitorja e fundit e Uruguait në Botërore deri te ky sivjet që zhvillohet. Kjo do të jetë përballja e pestë ndërmjet këtyre dy vendeve. Dhe në katër takimet tjera, Uruguai ka fituar të katër ndeshjet, duke shënuar shtatë gola dhe duke pranuar vetëm një gol.
Është interesant se Uruguai rezultatin më të lartë e arrin, apo e ka arrit, pas çdo 20 vitesh. Me 1930 dhe me 1950 janë shpallur Kampion Bote, me 1970 kanë luajtur në gjysmëfinale, kurse me 1990 kanë hyrë në mesin e 16-skuadrave më të mira në Botëror.
Futbollistët jugkorean kanë arritur sukses të shkëlqyer me zënien e vendit të dytë, në Grupin B shumë të fortë me Argjentinën, Greqinë dhe Nigerinë dhe tani kërkojnë më shumë se kaq. Në kokat e Park Ji Sung-ut dhe shokëve të tij, akoma qëndron suksesi i jashtëzakonshëm i Botërorit 2002 kur ishte mbajtur në tokën e tyre duke u renditur të 4-it në Botëror
Lojtari më i mirë jugkorean padyshim është futbollisti i Manchester United, Park Ji Sung, ku disponimi i tij do të mund të ishte krucial kundër uruguajasve. Jugkoreanët kanë mjaftë probleme me mbrojtjen, kanë pranuar plot gjashtë gola, vetëm me Argjentinën kanë pranuar katër gola.
“Nuk na ecën kundër latinoamerikanëve, por me humbjen nga Argjentina kemi mësuar shumëçka. Tani e dimë se si të luajmë kundër tyre”, ka thënë Park Ji Sung.
Përbërjet e mundshme:
Uruguai: Muslera; Fucile, Victorino, Lugano, Pereira, Perez, Pereira, Arevalo, Forlan, Cavani, Suarez.
Koreja e Jugut: Jung; Jung-Soo Lee, Young-Pyo Lee, Doo-Ri Cha, Young-Hyung Cho, Jae Sung Kim, Sung-Yueng Ki, Ji Sung Park, Chu-Young Park, Ki-Hun Yeom, Chung Yong Lee.
A. Durmishi

Comments are closed.