Kanë mbetur edhe 6 ditë deri në fillimin e evenimentit më të rëndësishëm botëror të futbollit-Kupa e Botës 2010. Kosova e as Shqipëria nuk do të jenë pjesë e Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut”. Por sa për ngushëllim, do të kemi tre djelmosha tanë që do të luajnë me fanelen e Zvicrës, që janë shqiptarë nga Kosova.
Valon Behrami, Xherdan Shaqiri dhe Albert Bunjaku do të jenë krenaria jonë në Botërorin “Afrika e Jugut 2010″.
Valon Behrami , i lindur me 19 prill 1985 ne Mitrovicë. Si pesë vjeçar kishte migruar së bashku me prindërit në Zvicër-1990. Është rritur në qytetin Stabio, në një vend të Zvicrës, me të folur italiane. Me 2002 Behrami merr shtetësinë zvicerane. Fillimisht Valon Behrami ishte i interesuar për atletikë. Në disa vrapime fushore ai kishte triumfuar katër herë në regjion. Kjo na e justifikon shpejtësinë e tij në fushën e blertë.
Ka luajtur për skuadrat : Lugano (2002-2003), Gjenova (2003-2004), Verona (2004-2005), Lacio (2005-2008), dhe aktualisht, që nga viti 2008, është anëtar i skuadrës së Premier ligës angleze, West Ham United.
Në reprezentacionin e Zvicrës ka debutuar në vitin 2005, konkretisht me 8 tetor, në ndeshjen kualifikuese për kampionatin botërorë 2006, kundër Francës (1:1), ndërsa deri me tani ka zhvilluar 25 ndeshje zyrtare dhe ka shënuar 2 gola. Golin e tij të parë e ka shënuar kundër Turqisë, me 12 nëntor 2005, tre minuta pas inkuadrimit në lojë. Valon Behrami ka marr pjesë edhe në Kampionatin Botëror “Gjermania 2006”, por në fazën e trajnimeve ishte lënduar dhe praktikisht i iku aktivizimi i rregullt në ndeshje. Megjithatë në ndeshjen kundër Kores jugore, ishte inkuadruar në fazën e fundit të lojës, për te bërë 6 minuta të botërorit 2006.
Në EURO 2008, Behrami gjithashtu ka qenë në përbërjen e kombëtares zvicerane.
Xherdan Shaqiri: Reprezentues zviceran , me prejardhje shqiptar nga Kosova. Xherdani është i lindur me 10 tetor 1991 në Gjilan. Futbollist i së ardhmes, i cili akoma pa e arritur moshën madhore ka nënshkruar kontratë profesioniste me skuadrën Bazel, me te cilën sivjet fitoj edhe titullin e kampionit në Zvicër. Xherdan Shaqiri luan në pozicionin e mesfushorit ofanziv. Në periudhën prej 2008-2009 ka luajtur në U21 të Bazelit, ndërsa nga 2009 luan në përbërjen e parë të kampionit zviceran ku është paraqitur në 32 ndeshje dhe ka shënuar 4 gola.
Në kombëtaren e Zvicrës ka debutuar në vitin 2010 me një paraqitje zyrtare. Është në mesin e 23 futbollistëve pjesëmarrës në Botërorin “Afrika e Jugut 2010”.
Pjesëmarrja e tij si 18 vjeçar në botërorë llogaritet si befasia më e këndshme.
Albert Bunjaku: I lindur me 29 nëntor 1983 ne Gjilan. Reprezentues i Zvicrës me prejardhje nga Kosova. Alberti ka emigruar ne Zvicër ne moshën 7 vjeçare me prindërit e tij. Fillimisht në moshën 14 vjeçare Alberti nis karrierën e futbollistit me skuadrën e tij Fc Schliren. Më vonë transferohet te Grasshoppers dhe luante në pozicionin e mbrojtësit anësor. Ndërkohë, Albertit i humbë dëshira për futbollin dhe pauzon një vit e gjysmë. Pas 1.5 vitesh, Albert Bunjaku nis përsëri me futbollin dhe atë te skuadra Young Fellows. Aty luan në pozicionin e sulmuesit qendror.
Në periudhën 2003-2005 bëhet anëtar i skuadrës Schaffhausen për të cilën zhvillon 39 ndeshje dhe shënon 3 gola. Në vitin 2006 kalon te Rot-Weis Erfurt. Aty nisë ndërtimi i karrierës së suksesshme profesioniste për Albertin. Zhvillon 74 ndeshje dhe shënon 34 gola për “kuq e bardhët” e Erfurtit. Popullaritetin më të madh e arrin me 10 gusht 2008 kur si zavëndësues i shënon dy gola kundër Bayernit të Munihut në ndeshjen për Kupën e Gjermanisë. Në shkurt 2009 Bunjaku transferohet te skuadra Nurnberg që atëherë akoma ishte anëtare e bundesliga 2.
Në sezonin 2009/10 Albert Bunjaku, me skuadren e Nurnbergut, tani në bundesliga 1, e pati shkëlqimin e tij më të madh deri me tani. Duke shënuar gjithsej 12 gola, ai ishte golashënuesi më i mirë i kësaj skuadre. Kjo bëri që Albert Bunjaku të jetë i ftuari i Otmar Hitzfeldit për kombëtaren e Zvicrës.
Me 6 nëntor 2009 Albert Bunjaku ftohet për herë të parë nga selektori i Zvicrës, Otmar Hitzfeld, dhe debuton në ndeshjen kundër Norvegjisë me 14 nëntor (0:1).
Albert Bunjaku është ftuar në përbërjen e Zvicrës për Botërorin Afrika e Jugut 2010, si zëvendësim i të lënduarit Marco Straller.
Edhe pse kombëtaret tona , Kosova dhe Shqipëria nuk do të jenë në “Afrika e Jugut 2010” , neve emocionet e botërorit padyshim se do të na i sjellin paraqitjet e futbollistëve shqiptar në përbërjen e kombëtares së Zvicrës.
Zvicra bënë pjesë në grupin “H” , me Spanjën, Hondurasin dhe Kilin.
E. EJUPI


Comments are closed.