“Bëhet fjalë për një grup mjaft të organizuar ku 3-4 lojtar janë më me përvojë, kurse të tjerët janë futbollist të rinj ku japin maksimumin në fushë. Kjo u dëshmua edhe në ndeshjet kontrolluese ku i zhvilluam në Austri ku shënuam 1 fitore, 2 barazime dhe vetëm 1 humbje”, pohoi Ardian Nuhiu, përforcimi i kësaj skuadre tetovar
Avdyl SALIHU/SHKUP
Ekipi i Shkëndijës pas përgatitjeve që zhvilloi në Austri, seancat stërvitore i ka vazhduar në Tetovë. Përforcimi më i ri i “kuqezinjve”, Ardian Nuhiu, u shpreh shumë i kënaqur nga loja që kanë treguar dhe organizimi që po mbizotëron në këtë klub. “Drejtuesit dhe bashkëlojtarët më kanë pritur shumë mirë në ekip. Bëhet fjalë për një grup mjaft të organizuar ku 3-4 lojtar janë më me përvojë, kurse të tjerët janë futbollist të rinj ku japin maksimumin në fushë. Kjo u dëshmua edhe në ndeshjet kontrolluese ku i zhvilluam në Austri ku shënuam 1 fitore, 2 barazime dhe vetëm 1 humbje”, pohoi mesfushori. Ai shton se sivjet ekipi i Shkëndijës synon të jetë në pjesën e lartë të tabelës. “Pas përforcimeve të bëra në afatin kalimtar dhe përgatitjeve intensive që jemi duke i zhvilluar, mendoj se ekipi ynë ka forcë që sivjet të gjendet në tre pozitat e larta në tabelë. Shpresoj se kjo do të arrihet me një lojë të organizuar dhe me luftë në teren”, tha Nuhiu. Ndryshe, Ardian Nuhiu me ekipin tetovar ka marrëveshje 1 vjeçare dhe sipas tij kjo mund të vazhdohet nëse dy palët pajtohen. “Ka gjasa të vazhdojmë nëse dy palët pajtohemi për kushtet e ofruara, por kjo varet edhe prej ofertave tjera që do të vijnë nga jashtë. Synimi im është së pari të transferohem jashtë vendit”, tha Ardian Nuhiu.

Comments are closed.