KM “Hedis” u paraqit me tre mundës dhe arriti të fitoj dy medalje të arta dhe një të bronztë. Me ari u stolisën, Rufat Ismaili (66kg) dhe Dejan Mitrov (74kg), kurse Jasin Rexhallari (60kg) ishte i dyti
Avdyl SALIHU/SHKUP
Gjatë fundjavës në Shkup nën organizim të Federatës së Mundjes së Maqedonisë është zhvilluar Kampionati i Maqedonisë për senior. Në këtë aktivitet nga klubet shqiptare kanë marrë pjesë KM “Çair” dhe KM “Hedis”. Kjo e fundit e cila u paraqitë me tre mundës arriti të fitoj dy medalje të arta dhe një bronz. Me ari u stolisën Rufat Ismaili (66kg) dhe Dejan Mitrov (74kg), kurse Jasin Rexhallari (60kg) ishte i dyti. Ndryshe, njëri ndër ata që treguan luftëra më të mira në këtë kampionat ishte Ismaili, i cili fitoi ndaj tre kundërshtarëve si Angelov Todorov, Davor Tasev dhe Darko Stojanov. “Ishte një garë e fortë për mua, ku u ndesha me mundësit më të mirë që kam në kategori. Të gjithë i mposhta bindshëm dhe për këtë jam shumë i gëzuar. Tani në fund të javës më pret një garë e rëndësishme në Greqi, ku shpresoj se do të kthehem edhe nga atje me medalje”, pohoi Rufat Ismaili. Edhe anëtari tjetër i Hedis-it, Dejan Mitrov, u shpreh i kënaqur me atë që tregoj në dysheme. “Ishte një test i vogël pas turnirit që zhvillova në Francë. Nuk kisha kundërshtar të denjë, kështu që deri te ari arrita shumë lehtë. Tani të shtunën më pret turniri ndërkombëtar, “Margaritari i Artë” ku besoj se edhe aty do të arrij rezultate pozitive”, tha Mitrov. Ndryshe, në fund sipas pikëve të tubuara, klubi më i mirë u shpall “Ballkanec” nga Shtipi. I dyti ishte “Hedi”-s, kurse i treti “Çairi”. KM “Liria” fare nuk u paraqit në Kampionat dhe arsyet për këtë nuk u bënë të ditura.

Comments are closed.