Home » Botërori 2010, Futboll int., Lajm i fundit » Kush kampion bote: Holanda apo Spanja (20:30)

Kampionati i parë botëror në tokë e Afrikës në fron do të sjellë Kombëtare të re. Medalja për vendin e tretë iu nda mbrëmë Gjermanisë, kurse në pyetjen se cila Kombëtare do të jetë në krye të botës do ta mësojmë sonte pas duelit Holandë – Spanjë që zhvillohet në stadiumin “Soccer City” të Johannesburgut nga ora 20:30, dy reprezentacione që kurrë më parë as në kampionate evropiane e as botërore nuk i kanë matur forcat ndërmjet vete.

Do të jetë kjo finalja e shtatë që do të përballen skuadra evropiane ndërmjet vete, ndërsa finalja e parë që do të mungoj njëra nga “katërshja e madhe”, si Italia, Brazili, Argjentina dhe Gjermania. Nëse sonte Holanda do të festojë, do të jetë reprezentacioni i pestë që në KB do ta fitoj titullin me sukses të qindpërqindtë me të gjitha fitore në turnir (këtë e kanë arritur edhe Uruguai me 1930, Italia 1938 dhe Brazili me 1970 dhe 2002). Edhe në një gjë Holanda mund t’i bashkohet Brazilit nëse do të fitoj sonte, do të bëhej skuadra e dytë në histori e cila kualifikimet për botëror i ka mbyllur me të gjitha fitore dhe pastaj e ka fituar kampionatin. Në 25 ndeshjet e fundit Holanda nuk di për humbje dhe në ndeshjen e fundit në botëror që janë mposhtur ka qenë humbja nga Kroacia për vendin e tretë në Francë më 1998 (1:2)

Spanja është kampionia e parë e Evropiane që pas Gjermanisë (1982) që do të luaj edhe në finale të Botërorit dhe janë skuadra e 12-të që luajnë në finale të botërorit. Nëse Spanja do të shpallet kampione, mesiguri do të jenë skuadra që më së pakti iu kanë dashur gola të shënuar. Deri më tani kanë shënuar vetëm shtatë gola dhe së paku i duhen edhe katër gola tjerë që të barazohen me Italinë nga viti 1938, Anglinë me 1966 dhe Brazilin e vitit 1994. Detaji tjetër interesant rreth spanjollëve është se statistikat precize na tregojnë që Xavi, truri i skuadrës së Spanjës, mesfushori i Barcelonës, ka krijuar 25 raste në këtë turnir, tetë më shumë se sa shoku i skuadrës dhe gjithsejtë nga tetë ndeshjet e luajtura ka dhënë 509 pasime të sakta të topit. Vetëm Dunga kishte më shumë në KB 1994.

Holanda e vetmja me sukses të qindpërqindtë në botëror

Holanda është reprezentacioni i vetëm që në këtë kampionat ka arritur që nga gjashtë ndeshje t’i fitoj të gjitha. Ndërsa Spanja filloi kampionatin në mënyrë shokuese me Zvicrën ndërsa në pesë ndeshjet e radhës ia dolën që të gjitha t’i fitojnë ndërsa vetëm Kili ia kishte dalë t’iu shënonte gol. Ndërsa, përveç humbjes me Zvicrën (0:1), dhe fitores ndaj Hondurasit (2:0) dhe pranimit të golit nga Kili (2:1), të gjitha ndeshjet tjera në fazën nokautuese i ka fituar me rezultat identik 1:0.

Reprezentacioni që ka humbur ndeshjen e parë asnjëherë nuk është shpallur kampion

Holandezët sonte e kërkojnë titullin nga rasti i tretë i tyre të luajtur në finale. Në dy finalet tjera të zhvilluara deri më tani janë mposhtur nga organizatorët vendas të kampionatit, Gjermanisë 2:1 (1974) dhe Argjentinës 3:2 (1978). Për Spanjën kjo është finalja e parë në histori të botërorëve, ndërsa plasmani më i mirë i tyre ishte nga viti 1950 në Brazil kur ishin renditur si të katërtit, por atëherë organizimi i turnirit ishte krejtësisht ndryshe nga tani. Të gjithë adhuruesit e futbollit pajtohen që humbja ndaj Zvicrës spanjollët i kishte bërë më të fortë dhe i kishte bërë të prekin me këmbë në tokë, por duhet përmendur faktin që kurrë në histori të botërorit reprezentacioni i cili ka humbur ndeshjen e parë nuk është shpallur kampione dhe Gjermania me 1982, Argjentina me 1990 dhe Italia me 1994 ishin ndalur në finale pas humbjes së ndeshjes së parë.

Në dallim nga ndeshja me Uruguain, Holanda sonte do të jetë me e kompletuar, pasi që do të kthehen në fushën e gjelbër pas suspendimeve, Gregory van der Wiel dhe Nigel de Jong ndërsa do të jenë të kompletuar edhe pas shërimit të lëndimeve të vogla të portierit Stekelenburg dhe Sneijder. Ndërsa, përzgjedhësi spanjoll, Vicente del Bosque në kokën e tij ka vetëm një “problem”, se kë ta fus në ndeshje në përbërjen e parë, me Pedro-n apo Fernando Torres-in, por nuk do të ishte befasi nëse ndeshjen do ta fillonte edhe me David Silva-n i cili para fillimit të kampionatit ishte i padiskutueshëm në formacionin startues.

Përbërjet e mundshme:

Holanda: Stekelenburg, Van der Wiel, Heitinga, Mathijsen, Van Bronckhorst, Van Bommel, De Jong, Robben, Sneijder, Kuyt, Van Persie

Spanja: Casillas, Ramos, Puyol, Pique, Capdevilla, Busquets, Xabi Alonso, Xavi, Iniesta, Pedro, Villa

A. Durmishi

Comments Closed

Comments are closed.