Këto ditë në ambientet e Grand Hotelit Prishtina, në praninë e mysafirëve të shumtë në sallën solemne, u bë promovimi i librit Gazetari për gazetarin, Gani Kosumi, 30 vjet të gazetarisë sportive, i autorit Xhavit Kajtazi. Ishin të pranishëm njerëzit eminentë të sportit të Kosovës, përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Lutfi Haziri.Rreth kësaj monografie që është e veçantë në gazetarinë tonë sportive, foli gazetari i mirënjohur Qani Mehmedi, i cili, edhe vetë ishte protagonist i periudhës së gazetarisë, për të cilën është shkruar, i cili së bashku me kolegun e tij Gani Kosumi, për dhjetë vjet, në kohën e okupimit më të egër serb të Kosovës kishin raportuar për Radio Televizionin Shqiptar.
Xhavit Kajtazi, autor i librit “Gazari për gazetarit, Gani Kosumi, 30 vjet të gazetarisë sportive”:
Ka kohë që kisha menduar t’i paraprija me një shkrim një përvjetori të veçantë që po përgatitej ta kremtonte gazetari i sportit Gani Kosumi. Duke qenë prore i bindur se po bëja një punë të zorshme dhe me përgjegjësi për një figurë kaq të rëndësishme të gazetarisë dhe të sportit shqiptar përgjithësisht, kisha dronë se mbase po bëja pak për një personazh të madh…
Mirëpo, duke mos mundur ta duroja shpërfilljen që më rrinte si saç mbi kokë, u përpoqa të shtresoj tri rrëfime për nder të 30 vjetorit të punës në gazetarinë sportive të kolegut Gani Kosumi…
As që e kisha menduar se pas këtij shkrimi, do të shkonte puna nderi atje sa pas një bisede shumë të shkurtër kishim vendosur së bashku që ta bënim një tjetër hap, edhe më të vështirë, por që e vlente.
Vendosëm ta bëjmë një libër, që do të ishte një histori e udhës 30 vjeçare të Gani Kasumit, i cili sipas mendimit tim është personazhi më i veçantë që filloi dhe shtresoi një periudhë kaq të gjatë të gazetarisë sportive, të cilën e shndërruam në histroi të gazetartisë sportive shqiptare përgjithësisht, madje edhe botërore.
Kjo është historia, në pika të shkurtëra e personazhit të monografisë, të cilën e mundësuan ta botoja VENERA 2000, Shtypshkronja PROGRAF dhe Ministria e Sportit e Kosovës:
1.
Fillimet e gazetarisë sportive Gani Kosumi i bëri në gazetën studentore “Bota e re”, ku gjatë studimeve ishte bashkëpunëtor i rregullt dhe shkruante thjeshtë vetëm për sportin. Madje, vetëm për sportin në Universitet dhe për skuadrat e shumta sportive universitare që bënin gara me sukses që nga elita e ish-ligës së parë qendrore të ish-Jugosllavisë e deri te ligat e Kosovës. Ganiu pa përtesë i kthente në histori të gjitha këto të arritura që nuk ishin pak për atë Kosovë. Duke qenë akademik Esat Stavileci në krye të lëvizjes domethënëse të sportit universitar, asokohe, që nga viti 1979, Lidhja e Kulturës Fizike e Universitetit të Prishtinës në gjiun e vet kishte më se 20 skuadra. Gani Kosumi, ka qenë pjesë e kësaj lëvizjeje, që do të kujtohet si një shembull se si Universiteti edhe përmes sportit lëviz gjërat përpara.
I mishëruar me këtë realitet që po jepte rezultate kulmore Ganiu një kohë ishte edhe sekretar i përgjithshëm i klubit të hendbollit Universiteti, që për një vit veprimtarie kaloi në elitën e Kosovës, me synime që të shpërthente edhe më lart…
Ndërkohë, fati deshi që në vitin 1981 të nis punën e gazetarit të sportit në Radio Prishtinë, ku vazhdoi edhe më tej të afirmojë vlerat e sportit universitar…
2.
Gazetarinë sportive të periudhës së viteve 1991-1999 e kam quajtur, mendoj me të drejtë, gazetari sportive të luftës. Pse? Dihet se pushteti okupues serb në këtë kohë ushtroi dhunë të paparë ndaj shqiptarëve, që, siç dihet, më pas u shndërrua në luftën e shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Në këtë periudhë, si rezultat i dhunës, edhe sporti i Kosovës vendosi të zhvillohet i pavarur, dhe për dhjetë vjet rresht bëri një jetë në kushte lufte, që ishte shembull i vetëm në botën sportive. Gani Kosumi në këtë periudhë bëri shumë për sportin e Kosovës. Madje, përmes Radiotelevizionit shqiptar, përditë raportonte lidhur me të gjitha ngjarjet sportive që zhvilloheshin në Kosovë…Njëkohësisht, bashkëpunoi me të gjitha gazetat në Kosovë dhe Shqipëri për të pasqyruar në vazhdimësi realitetin në sportin e Kosovës… Prore i kërcënuar, i arrestuar nga forcat policore serbe, por asnjëherë i gjunjëzuar…
3.
Duke qenë Gani Kosumi reporter i sportit në kushte lufte, nuk la pa regjistruar, qoftë përmes kasetofonit, pamjeve filmike, madje edhe përmes shkrimeve dhe fotografive, që sot janë më mijëra, të gjitha ngjarjet gjithandej Kosovës. Asnjëherë nuk është zmbrapsur; u ka qëndruar të gjitha stuhive – shiut, borës, erës, vapës, dhunës serbe, për ta thënë me guxim njerëzor e profesional fjalën lirë, që në këtë kohë kërkonte guxim dhe përcaktim të palëkundur…“Kam kaluar nëpër ferr, por nuk e di as vetë se si më vinte forca dhe për çudi, sikur më rrëmbente përpara qëllimi që e shihja në horizont – liria e Kosovës dhe e sportit të saj, pavarësia e të dyjave që po e prisnim me shekuj”, – rrëfen me pak fjalë një periudhë të gjatë të jetës dhe të punës në rrethana lufte…
Qani Mehmedi:Monografi që i bëjnë nder jo vetëm gazetarisë sportive, por edhe të gjithë produkcionit gazetaresk të Kosovës
Një vështrim për këtë monografi e bëri Qani Mehmedi, i cili, edhe vetë ishte protagonist i periudhës së gazetarisë, për të cilën është shkruar, i cili së bashku me kolegun e tij Gani Kosumi, për dhjetë vjet, në kohën e okupimit më të egër serb të Kosovës kishin raportuar për Radio Televizionin Shqiptar
Ndihem i privilegjuar që mu dha mundësia të them dy tre fjalë për librin e Xhavit Kajtazit “Gazetari për Gazetarin” që i dedikohet 30 vjetorit të gazetarisë sportive të njërit nga personazhet më të angazhuara dhë më me ndikim sidomos në vitet më dhe dramatike të Kosovës në sportin kosovar Gani Kosumit. Pra atij gazetari, i cili para së gjithash dhe mbi të gjitha shquhet për një etikë profesionale e cila mund dhe duhet tu shëmbëllejë brezave të tashëm dhe të ardhshëm jo vetëm në gazetarinë sportive, por edhe tërë gazetarisë dhe publicistikës sonë. Krahas etikës, përkushtimi është vetia e dytë më e rëndësishme e këtij gazetari të palodhshëm në afirmimin e sportit shqiptar, përkushtim ky që vërehet edhe në librin “Gazetari për Gazetarin” që e promovojmë sot.
Kam pasur kënaqsinë që me gazetarin Gani Kosumi të punojmë në vite të vështira në vitet 1990 – 1999 dhe të bindem për këmbëngulsinë e tij të jashtëzakonshe në kryerjen e punëve që shtroheshin gjatë ditës që ndonjëherë dukej e pamundur të kryeshin derisa punonim për RTSH-në. Libri i Xhavit Kajtazit “Gazetari për Gazetarin -30 vjet të gazetarisë sportive të Gani Kosumit” edhe për nga përmbajtja edhe për nga forma është ndër ata libra që i bëjnë nder jo vetëm gazetarisë sportive, por edhe të gjithë produkcionit gazetaresk të Kosovës.Një libër i sajuar mirë, i kategorizuar kronikisht dhe tematikisht, një libër ku fotografia dhe ilustrimet zënë vend jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe pasqyrojnë në mënyrë të denjë sportin kosovar dhe ky pasqyrim përmes fotografisë, kur shoqërohet me fjalën e zgjedhur dhe precize, e bën këtë libër jo vetëm shumë tërheqës për gazetarë e personazhet e sportit në tri deceniet e kaluara, por edhe për opinion e gjerë lexues.
Mjafton të shikohen vetëm tri fotografi të ciklit “Futbolli i pavarur” pre
j të clit mund të bëhen dhjetra komente për krajatat nëpër të cilat kaluan sportistët e Kosovës në atë periudhë, vetëm e vetëm për të dëshmuar se nuk ka fuqi që mund ta thyejë vullnetin e një populli për punë e liri, qoftë edhe në fushën sportive.Libri Gazetari për Gazetarin, konsiderojmë se është dëshmi e shkëlqyeshme e gazetarisë sportive në Kosovë në tridhejtë vitet e kaluara dhe ky libër mund të konsiderohet edhe një lloj monografie e gazetarisë kosovare në këtë periudhë kohore.Nuk mbetët jetër pos që autorit Xhavit Kajtazit dhe personazhit kryesor të librit, Gani Kosumit, tu uroj edhe shumë punë në gazetarinë tone dhe vepra të reja në gazetarinë sportive, pa mëdyshje një gazetari kjo me lexues, dëgjues e shikues më të shumtë nga të gjitha llojet tjera të gazetarisë.
Kosumi: Ishte një periudhë e vështirë
Protagonisti kryesor i kësaj vepre Gani Kosumi, përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi të gjithë ata që e mbështetën në botimin e librit, ndër të tjera Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sponsorët e tjerë dhe në veçanti familjen, e cila siç tha Kosumi, e kanë përkrahur vazhdimisht edhe në kohët më të vështira të jetës. Përmes veprimtarisë 30- vjeçare të gazetarisë, është shënuar edhe historia e sportit të Kosovës…
Haziri: Mbështetja nuk ishte e rastësishme
Më pas autorin dhe daljen në dritë të librit Gazetari për gazetarin, Gani Kosumi, 30 vjet të gazetarisë sportive e përshëndeti ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, z. Lutfi Haziri, i cili me këtë rast theksoi se mbështetja e botimit nga ana e ministrisë nuk ka qenë e rastësishme. Haziri përmendi se edhe ai ishte pjesë e kësaj historie dhe i njihte të gjithë protagonistët e kësaj periudhe dhe uroi që edhe në të ardhmen hapësira informative kosovare të pasurohet me libra e monografi të tilla…





Comments are closed.