Me gjithë problemet e mëdha me kuadrin e futbollistëve, Bayerni i Munihut sonte(20:45 h/ Live në RTK) para ndeshjes se kthimit gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve kundër Olimpik Lyon, ëndërron për kualifikim në finale.
Pa super yllin francez, Franck Ribery, i pezulluar, pastaj disa futbolliste tjerë, nga çdo repart, ose të sëmure ose të lënduar, por me gjithë këto probleme, Bayerni i Munihut vazhdon të ndjek kursin e tre titujve për ketë sezon. Sonte, para ndeshjes së kthimit, në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, në Lyon kundër skuadrës franceze Olimpique, bavarezët janë para përmbushjes se ëndrrës së tyre ,që për herë të parë pas triumfit në ketë garë në vitin e largët 2001, të jenë në finalen e kësaj gare të madhe evropiane.
“Ne kemi një objektiv të madh para vetës. Do të jetë një ndeshje e vështirë , por ky ekip ka shfaqë një dëshire të madhe, një luftë të madhe dhe një pasion të madh. Ata pas një forme fantastike të treguar muajve të fundit e meritojnë të jenë në finalen e kësaj gare” ka deklaruar i pari i kryesisë se klubit bavarez, Karl Heinz Rummenigge para fluturimit special për në ndeshjen e kthimit. Ndërsa trajneri, Louis Van Gaal ka thënë shkurt:” Ne kemi shumë probleme, por dëshira është e madhe”.
Pas fitores me rezultatit 1:0 në ndeshjen e parë, Bayernit do t’i mjaftonte çdo rezultat i barabartë si dhe çdo disfatë me një gol diferencë nëse Bayerni shënon të paktën një gol.
Bayern dhe tifozët e tij shpresën më të madhe e kanë te Arijen Robben i cili në disa raste ka shënuar gola vendimtar për skuadrën e tij. Robben i cili në 31 ndeshje zyrtare ka shënuar 20 gola thotë:” Unë natyrisht besoj që ne do të shkojmë në finale”. Për Robben finalja në Madrid është një motivim shtesë për tu kthyer në stadiumin që dikur kishte luajtur derisa ishte transferuar te Bayerni.
Në anën tjetër, edhe skuadra Ol.Lyon ka probleme me mungesën e lojtarëve standard. Përpos Jeremy Toulalan(i pezulluar) do të mungoj edhe Mathieu Bodmer (i lënduar) ndërsa kapiteni Cris edhe pse është i lënduar ai do të paraqitet nga fillimi i ndeshjes.
Përbërjet e paralajmëruara të skuadrave:
OL.LYON: Lloris, Reveillere, Cissokho, Cris, Boumsong, Makoun, Govou, Gonalons, Lopez, Delgado, Bastos
BAYERN: Butt, Lahm, Badstuber, Demichelis, Van Buyten, Van Bommel, Robben, Schweinsteger, Gomez, Muller, Oliç
Ndeshja Ol.Lyon-Bayern, fillon nga ora 20:45 dhe transmetohet live ne RTK për rrjetin tokësor.
E.EJUPI

Comments are closed.