Home » Basketboll, Lajm i fundit » Presidenti Fatmir Sejdiu, priti kryesinë e KB Sigal Prishtina

Klubi i basketbollit Sigal Prishtina në konkurencën e meshkujve po kremton 40 vjetorin e themelimit të saj dhe të sukseseve të njëpasnjëshme që po arrin në garat e Republikës së Kosovës në basketboll. Ky klub edhe këtë vit ka fituar të gjitha trofetë e mundshme, titullin dhe kupën e Kosovës. Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti në një takim kryesinë dhe basketbollistët e KB “Sigal Prishtina”, fitues i titullit të kampionit dhe i kupës së Kosovës për këtë vit, si dhe udhëheqjen e tifozëve ‘Plisat’. Presidenti Sejdiu, i uroi ata për titullin e kampionit të Kosovës duke u dëshiruar suksese edhe të mëtutjeshme.

Gjatë këtij takimi Presidenti Sejdiu, rikonfirmoi edhe njëherë mbështetjen e fuqishme për sportin në përgjithësi dhe për të gjithë sportistët e vendit tonë. Përfaqësuesit e KB “Sigal Prishtina”, falënderuan Presidentin Sejdiu për pritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që po i jep sportit.

Në shenjë respekti dhe falënderimi për përkrahjen që po ofron Presidenti Sejdiu, Kryesia dhe basketbollistët e këtij klubi i dhuruan presidentit, një top basketbolli me nënshkrimet e lojtarëve dhe një fanellë.

Drejtuesit e këtij e klubit së bashku me basketbollistët dhe përfaqësuesit e adhuruesve “Plisat” janë pritur në kabinetin e ministrit të Rinisë, Kulturës dhe Sportit, Lutfi Haziri. Ministri Haziri ka përgëzuar për sukseset që ka arritur ky klub dhe ka uruar edhe për 40 vjetorin e themelimit. Ministri tha se Komisioni Evropian në bashkëpunim me Kuvendin Komunal të Prishtinës dhe Ministrinë e Sportit së shpejti do të nisin edhe meremetimin e Qendrës së Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë. Ky pallat do të bëhet sa më i mirë në infrastrukturën sportive për zhvillimin e aktiviteteve për të gjitha klubet sportive.

E.TH.

Comments Closed

Comments are closed.